Monday, March 16, 2015

Fuqizimi i aftësive dhe kompetencave për politikat e mjedisit, të shëndetit dhe sociale dhe të sigurisë


Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po organizon një seri workshopesh për ngritjen e kapacitevete për konsulentët mjedisorë në Shqipëri, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Mongoli, Serbi, Turqi dhe Ukrainë.
Në këtë kuadër, këtë javë po zhvillohet në Tiranë, Shqipëri, workshopi një javor, me pjesëmarrjen e 20 përfaqësuesve të kompanive konsulente apo konsulentë në cështjet e mjedisit, të shëndetit, sociale dhe të sigurisë.

Workshop ka në fokus të tij: (i) politikat e BERZH për mjedisin, shëndetin dhe sigurinë, dhe ato sociale, procedurat dhe kërkesat e kërkuara, përfshirë dhe monitorimin e projekteve, (ii) Institucionet Financiare Ndërkombëtare (IFN) bankare dhe proceset investuese, sqarimin e dallimeve mes kërkesave mjedisore dhe sociale që lidhen me llojet e ndryshme të investimeve, (iii) mekanizmat ligjorë përmes të cilëve BERZH dhe të tjera institucione financiare bien dakort dhe ndërmarrin veprime që janë projektuar për të menaxhuar rrezikun dhe nxitur pajtueshmërinë me politikat e tyre përkatëse, (iv) çështjet specifike sektoriale me të cilat përballen klientët INF, dhe (v) aftësitë themelore të konsulentëve të BERZH, duke përfshirë dhe kërkesat kontraktuese të BERZH.

Në hapje të takimit, z. Mihallaq Qirjo, Drejtor i REC Shqipëri tha se "tregu i konsulencës mjedisore dhe sociale është në zhvillim dhe maturim, si në numrin e specialistëve të përfshirë ashtu edhe në cilësinë e vlerësimeve të përgatitura. Tashmë është domosdoshmëri përmirësimi dhe perfeksionimi i këtyre produkteve në mënyrë që të arrijmë jo vetëm standardet e zbatuara në vendet evropiane, por të adresojmë siç duhet një prej kritikave më të shpeshta të shoqërisë civile për ndikimin mjedisor dhe social të pjesës më të madhe të investimeve në vitet e tranzicionit".
Eksperti i REC, z. Ruslan Zheckov, në prezantimin e tij të ditë së parë, bëri një prezantim të përgjithshëm të parimeve të Bashkimit Evropian, të legjislacionit dhe direktivave në çështjet e mjedisit, si dhe të drejtimeve kryesore të sektorëve kyç në ekonomi.

Workshopi organizohet dhe lehtësohet nga një konsorcium organizatash, i kryesuar nga Monkey Forest Consulting Ltd, në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Mjedisit, dhe përfshin ekspertë të lartë ndërkombëtarë mjedisorë, socialë dhe të shëndetit dhe të sigurisë.
Përmes shkëmbimit të njohurive dhe përvojave të lehtësuesve dhe të pjesëmarrësve në workshop, do të mund të qartësohen kërkesat dhe të identifikohen sfidat specifike për Shqipërinë.

I ndarë në sesione të ndryshme, përgjatë 5 ditëve të workshopit, në dy ditët e para do të synohen në mënyrë më specifike menaxherët e projekteve, pronarët dhe menaxherët e kompanive kombëtare konsulente. Dita e tretë dhe e katërt do të ketë një fokus më teknik me sesione mbi cështjet e mjedisit, të shëndetit dhe sigurisë dhe ato sociale hasur shpesh në projektet e BERZH. Ndërsa dita e pestë është planifikuar për prezantimin dhe diskutimin e rasteve studimore të klientëve të BERZH-it, të ndihmuara nga specialistë të lartë të BERZH-it.

No comments:

Post a Comment