U botua libri “Për bletën dhe sëmundjet
e saj.”
-Pyetje:
-Doktor, si lindi idea per nje liber te ri per bleten?
-Pergjigje:-
Duke u marrë herët, me historikun në fushën e veterinarisë,evidentoj një dukuri
interesante,në dallim nga librat e shkruara për
qëniet e tjera shtëpiake.Botimi i çdo libri për bletën ka lindur si një
nevojë, një kërkese i një stadi,i një niveli të caktuar në fushën e bletarisë
nga specialistët,bletarët etj. Mbarshtuesi i bletëve ka qënë vazhdimisht
pararendës me kërkesat e tij.Po të veresh me kujdes, librat e botuara në vite e
evidentojne këtë fakt, me të cilat janë edukuar breza të tërë bletarësh dhe specialistësh.
Në librat e botuara deri tani, vrehet një dukuri, ku shkruhet
për bletën dhe problemet që lidhen me të dhe harrohet bletari.Prandaj unë i kam kushtuar kujdes
atij, psikologjisë dhe filozofisë së tij për bletimin.
-Pyetje:- Cila eshte qasja juaj kryesore ne kete botim?
-Pergjigje: - Unë, nëpërmjet shënimeve të mia, synoj t’i shpreh
marrëdhëniet me bletët sa më kthjellët, me dashuri dhe me ngjyrime poetike.
Bletari, dalëngadalë, i dashuron bletët dhe këtë dashuri e thellon me kalimin e
viteve. Bleta të tërheq, të bind, të magjeps, të shtyn drejt shndërrimit.
Bletari e bën këtë me aq dashuri e ngrohtësi njerëzore, saqë edhe mes
shqetësimesh të pashmangshme, e shoqëron sërish jetën e përditshme të saj.
Shkenca ka studiuar,
historikisht, tek bleta materien, (lëndën). Studimi i saj është vetëm
sipërfaqja e ekzistencës. Sot, shkenca ka bërë një hap, ka kapërcyer pragun.
Ajo, sot, pohon se ekziston energjia, që është një shtresë më e thellë se
lënda. Bletari, në marrëdhëniet me botën sekrete të bletëve, nuk e ka të
mjaftueshme vetëm të kuptojë.
Bletari e njeh bletën nëpërmjet
arsyetimit me mekanizmin e të menduarit. Kjo nuk është aq e thellë, ndërsa
marrëdhëniet me bletën kërkojnë diçka tjetër, më të thellë, intuitë, dije. Ka
mjaft veprime të bletarit që bëhen në heshtje, që nuk mund të thuhen dhe as të
përshkruhen. Edhe vetë bletarin po ta pyesësh më vonë, nuk di çfarë të thotë,
ka qenë në një “botë” tjetër. Marrëdhëniet me bletën janë tepër të holla, të
ndjeshme. Bleta e “ndjen” bletarin se kur ai punon me kënaqësi dhe kur është i
stresuar. E ndjen se kur i bën ai veprimet me përtesë, i tensionuar, apo kur
tregon pasiguri. Ajo e “njeh” veprimin e tij, që nga mënyra sesi e hap zgjoin,
sesi i lëviz kornizat, sesi e përdor tymësen, si e kontrollon dhe kur e
kontrollon.
Marrëdhëniet
bletar-bletë nuk janë sipërfaqësore, këtu flitet për t’u kredhur në të
panjohurën, lidhet me intuitën. Bleta ta zhvillon atë, kur e njeh mirë jetën e
saj.
-Pyetje: - Cili eshte “vakuumi” qe po plotesoni me kete botim ?
-Pergjigje:- Ndër vite, gjatë ballafaqimeve me bletarë cilësorë, më
është dashur t’u afroj atyre, jo vetëm zgjidhje praktike për luftimin e
sëmundjeve, por edhe informacion sa më bashkëkohor. Meqenëse m’u dha mundësia
që të njihesha me studime dhe praktika të reja në bletari ndër disa
institucione të specializuara të SHBA-së, mora një shtysë tjetër për hartimin
dhe botimin e këtij libri.
Më parë kam botuar edhe libra të tjerë në
fushë të veterinarisë, por ky do paraqiste më shumë vështirësi: m’u deshën 6
vjet punë, studime, konsultime. Tashmë, i përfunduar, mendoj se prapëseprapë
libri mbart ato “vakume” që lidhen me njohjen e kufizuar të vetë bletës, pasi
shkenca botërore ende nuk e ka thënë fjalën e saj për disa çështje thelbësore
mbi bletën, nuk ka arritur t’u paraprijë disa dukurive, çrregullimeve dhe
sëmundjeve. Kështu, kolapsi, që i gjeti të papërgatitur institucionet
studimore, i shkaktoi bletarisë humbje të mëdha. Njohuritë tona në këtë fushë
janë ende të paplota; ne vetëm mundohemi, synojmë t’i afrohemi të vërtetës. Për
më tepër, qëllimi im përmes këtij libri është një përpjekje për ta parë bletën
nga një këndvështrim tjetër, si qënie sociale, dhe për të shtuar disa njohuri
rreth saj. Tashmë niveli i bletarëve është rritur ndjeshëm; veç zgjidhjeve
praktike, ata sot kërkojnë informacion më të plotë. “Si ndodh?”, vjen natyrshëm
pyetja e atyre që kanë kapërcyer me kohë literaturën didaktike.
Ky libër nuk është doracak( manual) dhe nuk ka
për qëllim themelor dhënien e zgjidhjeve të thjeshta praktike; ai mëton t’u
ofrojë bletarëve, specialistëve dhe studiuesve disa koncepte bashkohore. Në
faqet e tij, kam theksuar se asnjë studies, sadoqoftë i ditur dhe i zoti, nuk i
njeh bletët më mirë se bletari i tyre.
-Pyetje:- C’vend ze bletaria ne Sarande
dhe rajonin e saj ku ju punoni?
-Pergjigje: -. Rajoni Sarandë - Delvinë
bart numrin më të madh të familjeve të bletëve në vendin tonë. Ka bletarë me
një përvojë të gjatë, mjeshtra në bletari. Jo pak familje e kanë të trashëguar
me breza mbarështimin e bletës. Delvina njihet në historikun e bletarisë
shqiptare, pasi atje zuri vend për herë të parë zgjoi modern. Me krijimin e
fermës së parë nga italianët (Mimbelli), midis gjësë së gjallë zunë vend edhe
familje bletësh në zgjoje modernë (1923). Këtu, nën kujdesin e specialistëve
italianë, zë fill në Shqipëri mësimdhënia për mbarështimin modern të bletëve. Kjo qe bërthama e parë e bletarëve të
rajonit tonë, të cilët e trashëguan në breza bletarinë e përparuar. Në
dhjetëvjeçarët e fundit, bletarët e zonës sonë përfituan përvoja të reja, kur
gjatë emigracionit në Greqi u morën edhe atje me mbarështimin e bletëve.
Fale
bashkëpunimit të vazhdueshëm me bletarë, më është dhënë mundësia të vërej
njëfarë konservatorizmi e robërie kundrejt pikëpamjeve dhe klisheve të mësuara
keq, pa ditur se si dhe se kur. Specialistët e kanë të vështirë që, tek një
kategori e caktuar bletarësh, të thyejnë mendësi të tilla, sa të vjetra, aq dhe
të dëmshme. Nga ana tjetër, në dallim nga mbarështuesit e tjerë të gjësë
gjallë, duhet pohuar se bletarët janë më të kualifikuarit, ngaqë këtë ua dikton
edhe veçantia e punës me bletët. Bleta të fut në një botë tjetër, që të kërkosh
të dish më shumë.
Në libër sillen edhe këndvështrime ndryshe. Sot
bleta mbijeton e mbarështohet në një mjedis të rënduar dhe jo shumë paqësor, ku
mjaft miq të dikurshëm të saj, tashmë po e dëmtojnë rëndë. Ndaj, në këto rrethana,
duhet të evoluojnë disa pikëpamje a mendësi, në përshtatje me kohën dhe
mjedisin ku mbarështohen bletët. Në libër, kryesisht, jam përqendruar aty ku
drejtohet tehu i studimeve. Ndër to përmendim: lidhja e bletës me mjedisin dhe
bletarin, stresi, kolapsi, ushqimi, sëmundjet, çrregullimet, helmimet etj.
Libri bashkëshoqërohet me DVD.///
Intervistoi: SH.HAJNO
No comments:
Post a Comment