Wednesday, November 13, 2013

Saranda mirëpret artizanët shqiptarë

Saranda mirëpret artizanët shqiptarë



Ganimete Doli ishte e vetmja artizane nga Gjakova që kishte sfiduar rreth 500 kilometra rrugë për të marrë pjesë në edicionin e dytë të panairit të suvernireve artistike me qasje mjedisore “Saranda 2013” në qytetin jugor të Shqipërisë me të njejtin emër. Ajo bashkë me 50 subjekte tjera nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe trevat tjera shqipfolëse ekspozuan prodhimet e tyre për tri ditë në datat 15, 16 dhe 17 gusht në shëtitoren kryesore “Naim Frashëri” në Sarandë. 

Panairi u organizua nga Agjencia Joniane e Mjedisit, Medias dhe Informacionit e njohur me akronimin AJMMI
dhe mbështetjen e Bashkisë së Sarandës. Ky aktivitet synonte promovimin turistik të resurseve të tradites së
artizanëve shqiptarë në fushen e punimeve të dorës, me realizime të artikujve në lloje të ndryshme materiali si:
punime në qëndisje, në material leshi, druri, metali, guri, lekure, etj.

Ganimete Doli e cila veprimtarinë e ushtron edhe në Gjakovë përmes firmës së saj “Finesa” morri pjesë për herë
të parë në këtë panair me disa nga punimet për të cilat thotë se jo shumë veta dinë t’i punojnë. “Punë dore janë
gjitha punimet e mia, disa prej të cilave s’i punon gjithkush. Gjithmonë mundohem që të gërshetoj tradicionalen
me modernen”, thotë Doli, duke shtuar me keqardhje se ky zanat është në zhdukje dhe se me të po merren
vetëm femrat që kanë punuar që nga vitet e kaluara sepse të rejat nuk kanë interesim.



Ajo është shprehur e kënaqur me interesimin e turistëve për punimet e saj ndërsa ka thënë se do jetë pjesë e
këtij panairi edhe në vitet e ardhshme. “Ka mjaft të interesuar sidomos femrat që pyesin për punimet e dorës.
Tani edhe unë kam një interesim për këtë panair e mendoj se do jem edhe në vitet e ardhshme”, shprehet ajo.


Me një kënaqësi të veçantë kishte ardhur në këtë panair edhe Zija Karini, artizan nga Shkodra, trashigimtar i një
familje artizanësh të njohur që kanë filluar të merren me punime druri që në 1920-ën. “Në gjithë Shqipërinë
marrë pjesë në panaire e më kënaqësi morra pjesë edhe në Sarandë ngaqë kam qenë edhe herave tjera. Për sa i
përket interesimit, vetëm sot kur është dita e dytë më kanë vizituar rreth 3000 veta, edhe pse nuk blejnë gjithë
më mjaftojnë fjalët e bukura që thonë për punimet”, thotë 72 vjeçari në të folmen e Shkodrës. Ai thotë se
punimet e tij lidhen ngushtë edhe me Kosovën e merr pjesë në panaire edhe në Kosovë, ndërsa e kujton kur
ishte edhe në Gjakovë para shumë viteve, ndërsa e kishte befasuar mikpritja që ai e cilëson si mbresëlënëse.


Radio Gjakova ishte sponzor medial i panairit “Saranda 2013” dhe falë bashkëpunimit të ngushtë me Radio
Sarandën, mundësuan që në këtë aktivitet turistiko-ekonomik të promovohet libri “Çarshia e Madhe e
Gjakovës” e profesor Masar Rizvanollit ku janë të prezantuara të gjitha prodhimet zejtare që janë punuar nga
zejtarët gjakovarë si dhe guiden turistike të Gjakovës.
Vizitorët, pjesëmarrësit dhe organizatorët e këtij manifestimi deri tek zyrtarët e Bashkisë së Sarandës kanë
vlerësuar përmbledhjen e librit të profesor Rizvanollit duke e quajtur një trashigimi me vlerë dhe pasuri e
çmushme jo vetëm për Gjakovën por për gjithë trevat shqiptare.
Organizatorët e vlerësojnë të sukseshëm edicionin e dytë të “Saranda ‘13”
Panairi “Saranda 2013” i cili ka hyrë në rrugen e të qenurit tradicional ishte fryt i një bashkëpunimi të disa
intelektualeve sarandjotë të cilët fillimisht krijuan AJMMI-ne e përmes saj organizuan edhe panairin. “Që në fillim
kur e menduam panairin ideja ishte të bëjmë diçka me qasje mjedisore, pra të marrim një gjë që na ofron natyra
dhe më pas të krijojmë diçka artizane. Së dyti: e bëmë për të treguar se ne kemi kulturë artizane që nuk kemi
filluar të merremi me të sot, por e kemi të trashëguar”, thotë Agim Nelaj, sekretar shkencor i AJMMI-t.



Ai gjithashtu shprehet se organizimi i këtij panairi has në shumë vështirësi, por vetëm me këmbëngulje arrijnë t’ia
dalin. Nelaj shprehet se synim i panairit mbetet që çdo vit të sjellin diçka të re dhe atraktive për turistët, ndërsa
për edicionin e dytë thtoë se kishte disa të tilla. “Risija për këtë vit ishte zgjerimi i gjeografisë së pjesëmarrësve.
U krijua një mozaik shumë i bukur nga gjitha trevat duke filluar nga Gjakova, Prizreni, Prishtina, Tirana,
Shkodra, Gjirokastra etj., pothuajse nga gjitha vendet. Po ashtu, në këtë edicion u zgjerua gama e prodhimeve
nga puna e dorës, e gjithashtu u krijua edhe një bashkëpunim me organizatat e artizanëve”, shton Nelaj.
I lumtur për realizimin e pritshëmrive u shpreh edhe kryetari i AJMMI-t dhe njëherit drejtori i Radio Sarandës,
Shkëlqim Hajno i cili shpërndan meriten për këtë sukses tek të gjithë. “Më vjen mirë të them se u arriten
pritshmëritë dhe kjo u bë e mundur falë një pune në grup që nuk ishte vetëm në Sarandë, por ishte më i gjerë si
një tip rrjeti duke filluar me Shkodren, Gjakoven, Gjirokastren, Prizrenin, Prishtinen etj.” tha Hajno.
Për mbështetjen e këtij aktiviteti ai ka shprehur mirënjohje për dhe Radio Gjakoven. “Dua të falenderoj në
mënyrë të veçantë kolegët e mi të stafit të Radio Gjakovës të cilët mundësuan një lloj sensibilizimi në atë rajon të
Kosovës ku dëgjohet kjo radio prestigjioze. Po ashtu, dua të njoftoj se spoti publicitar që realzoi Radio Gjakova
për këtë panair ishte spot zyrtar i “Saranda 2013” dhe u transmetua edhe në Radio Sarandë e media tjera”,
tregon Shkëlqim Hajno.


Bashkia e Sarandës ishte mbështetësi krysor i këtij eventi turistiko-ekonomik që u mbajt në mes gushtin e nxehtë
të Shqipërisë. Raimonda Gjoni, nënkryetare e Bashkisë, tha se ndryshimet mes edicionit të parë dhe të dytë janë
lehtë të dallushme edhe pse thote se në vitin e kalur ishin befasuar për të mirë nga organizimi. “Këtë vit panairi
është në një nivel më të lartë, u takova me shumë artizanë nga të gjitha trojet e Shqipërisë dhe është një larmi
mjaft e bukur e vlerave popullore artistike të popullit shiptar sepse secili pjesëmarrës sjell traditen e zonës nga
vjen dhe gërshëtimi i tyre është një gjë e jashtëzakonshme”, shprehet Gjoni.
Ajo thotë se Bashkia gjithmonë e ka mbështetur panairin por prap ka hapsirë për të kontribuar edhe më tepër.
“Gjatë diskutimeve të bëra ne hodhem ide të reja se si mund ta mbështesim këtë panair dhe këta artizanë dhe një
gjë mund te jetë që përmes Bashkive simotra si përshembull ajo e ShkodreËs nga kanë ardhur 16 subjekte të
gjejmë forma për t’i mbështetur ata”, tha nënkryetarja e Bashksië së Sarandës, duke hehdur për fund edhe një
ide mjaft interesante: “Uroj që ky panair ndonjë ditë të zhvendoset dhe në Çarshinë e Gjakovës sepse do të ishte
një gjë shumë e bukur. Ne do të ofronim ndihmën tonë të pakursyer për ta realizuar këtë gjë”, nënvizoi
Gjoni./radiogjakova/


Ideal Gola/GJAKOVE

No comments:

Post a Comment