Wednesday, November 13, 2013

Punimet artizanale, një harmonizim i traditës me modernen në Sarandë

Punimet artizanale, një harmonizim i traditës me modernen në Sarandë
Organizata dhe individë nga Shqipëria e Kosova me iniciativa të përbashkëta si nxitje për të gjallëruar tregun e prodhimeve me dorë me bazë drurin, bakrin, lëkurën, alabastrën, leshin, filigramin, qëndisjet etj. Artizanët në Shqipëri dhe në Kosovë janë duke u ndeshur me një sërë vështirësish serioze. Kriza ekonomike që ka mbërthyer dhe sektorë të tjerë, globalizimi dhe konkurrenca e industrisë që i nxjerr produktet e tyre me kosto shumë më të lartë, këputja e traditës familjare për trashëgiminë e profesionit të punës me dorë në rradhët e brezave të rinj, janë disa nga faktorët që e kanë rrudhur sektorin artizanal.


Duke u nisur nga fakti se në këtë aspekt nuk bëhet fjalë thjesht për një drejtim të caktuar biznesi, por dhe për konservim të traditës, kulturës e historisë së shqiptarëve ndër vite, organizatat e zejtarëve nga të dy anët e kufirit janë duke lëvizur në nisma të përbashkëta. Synimi është që kjo sinergji të shkojë më shumë në favor të organizimit të panaireve të produkteve kryesisht me dorë me bazë drurin, bakrin dhe metaleve të tjera, lëkurën, alabastrën, leshin, materialet e detit, filigramin, qëndisjet etj. Duke bërë jo vetëm prezantimin e produkteve të larmishme, por dhe duke performuar para vizitorëve mjeshtërinë e realizmit "live" të tyre, si një vlerë e shtuar.
Ditët e fundit artizanë nga Shqipëria dhe Kosova, nga Kruja, Shkodra, Prizreni, Prishtina, Gjakova, Tirana, Gjirokastra, Peja etj., ishin bashkë në një nga destinacionet më të frekuentuara të këtij sezoni turistik, në Sarandë. Qyteti bregdetar 280 km larg Tiranës, në skajin më jugor të Shqipërisë, gjatë muajve korrik dhe gusht e dyfishon numrin e banorëve, nga qëndrimi i përkohshëm i turistëve vendas dhe të huaj. Njëri prej organizatorëve kryesorë të "Panairit Saranda 2013", Shkëlqim Hajno, drejtues i Agjencisë Joniane për Mjedisin, Median dhe Informacionin, AJMMI, thotë se aktivitete të tilla janë shumë efektive pasi ato e kanë të sigurtë "audiencën", që mbetet shumë e interesuar ndaj punimeve me dorë.

No comments:

Post a Comment